Sipas AKU-së, etiketimi në përputhje me legjislacionin në fuqi nuk është vetëm një detyrim ligjor për bizneset ushqimore, por një garanci për sigurinë dhe shëndetin e konsumatorit, duke i mundësuar atij të bëjë zgjedhje të informuara mbi produktet që konsumon.
“Këto janë fushata ndërgjegjësuese që zhvillohen tek bizneset, të cilat shërbejnë si hallka ndërmjet prodhuesve ose distributorëve dhe konsumatorëve. Qëllimi është të nxisin operatorët të lexojnë dhe respektojnë etiketat e produkteve, duke informuar konsumatorin mbi përmbajtjen dhe karakteristikat e ushqimit që tregtojnë. Edhe pse produktet mund të kenë etiketa në nivel prodhuesi, kur ato copëtohen ose paketohen sipas kërkesave të konsumatorit, shpesh mungon etiketimi, ndaj dhe ndërgjegjësimi i bizneseve bëhet i domosdoshëm për garantimin e informacionit të saktë për konsumatorin”, thekson AKU në njoftimin e saj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se fushata ndërgjegjësuese do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, paralelisht me kontrollet rutinë, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe forcimin e bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor.





