I pari i komunës së Prishtinës ka shtuar se, megjithëse fillimisht pati një periudhë më të ngadaltë të punës, tashmë proceset po ecin me hapa të shpejtë dhe ai shpreh bindjen e plotë se nuk do të ketë asnjë problem në përgatitjen e eventit në afatin e caktuar.

“Po them kemi pasur ndoshta pak ashtu një proces pak të zbehur gjatë dy viteve të para, por tash i kemi të gjitha të gjitha frontet e hapura, po ecim me hapa të shpejtë edhe jam shumë optimist që nuk do të kemi asnjë problem për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.”, bëri të ditur Rama.

Tutje, kryetari ka folur edhe për planet infrastrukturore, veçanërisht për stadiumin e ri që do të ndërtohet në kuadër të Fshatit Olimpik. Ai thekson se ky stadium plotëson kushtet për të qenë edhe stadiumi kombëtar i vendit.

“Unë mund të flas për stadiumin e ri të Prishtinës, të cilin e kemi pjesë të masterplanit në Fshatin Olimpik edhe këtë jemi duke e shtyrë përpara. Ky normal që mundet të jetë edhe stadiumi kombëtar i vendit sepse po e kemi planifikuar me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, edhe këtë po e shtyjmë përpara. Ky i duhet kryeqytetit dhe normal që mund të përdoret edhe si stadium kombëtar, nëse po them qeveria edhe pajtohet edhe vendosë që të bashkëpunojnë me ne dhe ta shtyjmë këtë proces përpara… Nëse vendosin që stadiumi kombëtar të jetë diku tjetër, normalisht edhe ajo është e mirëseardhur sepse sa më shumë që të zhvillojmë kapacitet infrastrukturor për të gjithë Kosovën, aq më mirë për secilin qytetar, për secilin qytet dhe për vendin tonë”, deklaroi në fund Rama.

Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.