Urat e reja janë ndërtuar pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar, gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Ishte paraparë rivitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.
Punimet për rivitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.





