Ikona “Shën Mëhilli” është rikthyer në shkëlqimin e saj të plotë falë punës së restauratorit Erion Lezi i cili përfundoi me sukses ndërhyrjen restauruese në këtë ikonë të fundit të shekullit të 16-të, atribuar Nikollës (birit të Onufrit).

Ikona shpëtoi si rezultat i një pune delikate disamujore në laboratorin e Konservimit & Restaurimit në Berat. Ikona vjen nga kisha e “Shën Kostandinit dhe Helenës” në Kalanë e Beratit dhe paraqiste problematika serioze: çarje të panosë së drurit, dëmtime dhe mungesa të shtresave përgatitore, gufime, degradim të pelikulës piktorike, papastërti të qëndrueshme nga ndërhyrje të mëparshme (dyll, blozë, parafinë) si dhe oksidim të vernikut.

Pas restaurimit, ikonës iu rikthye gjallëria e ngjyrave dhe eleganca e siluetës së vizatimit, duke nxjerrë qartë mjeshtërinë e Nikollës dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Onufrit.

Për disa javë, kjo ikonë do qëndrojë e ekspozuar për publikun në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”