Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole ishte në terren së bashku me kryebashkiakun e Kolonjës dhe majorin e Batalionit të Xhenios. Ura e fshatit Qafzezë u dëmtua rëndë si pasojë e reshjeve të pazakonta në qarkun e Korçës.

Jole tha se, puna është realizuar në harkun kohor të dy javëve.

“Që kur u sinjalizuam nga institucionet vendore për dëmtimin e urës, fillimisht u morën masa me Policinë e Shtetit për të mos rrezikuar jetën e banorëve, më pas u angazhuan inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të bërë një propozim teknik që u përcoll në rrugë zyrtare pranë Ministrisë së Mbrojtjes”, tha prefekti i Korçës, duke falënderuar për reagimin e menjëhershëm.

Me dëmtimin e rëndë të urës, një komunitet prej 12 fshatrash nuk kishin një alternativë kalimi dhe duke parë këtë situatë, Prefektura Korçë e trajtoi situatën me prioritet të lartë.

Tashmë, me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave, punimet janë drejt përfundimit dhe ura pritet të vihet shumë shpejt në funksion të komunitetit.