Një guash i Picasso-s që përshkruan muzën e tij dhe artisten Dora Maar do t’i ofrohet publikut të gjerë përmes një shorteu – me qëllim mbledhjen e 12 milionë eurove për kërkimet mbi sëmundjen e Alzheimerit.

Kushdo që blen një biletë për 100 euro do të ketë një shans për të fituar një pikturë të Picasso-s me vlerë 1 milion euro.

Një total prej 120,000 biletash kanë qenë në shitje – që nga e marta.

Shorteu do të organizohet në shtëpinë e ankandeve Christie’s në Paris më 14 prill të vitit të ardhshëm.

Vepra – një guash në letër – që daton nga viti 1941 dhe titullohet “Koka e një Gruaje”, vjen nga koleksioni i Galerisë së Operas.

Ajo mbahej prej kohësh nga familja Picasso, por më pas u bë pjesë e një koleksioni privat përpara se të dilte në treg, fillimisht në Nju Jork dhe më vonë në Zyrih.

Fondet do të shkojnë në Fondacionin e Kërkimeve mbi Alzheimerin – për të mbështetur programet e tyre kërkimore në Francë dhe jashtë vendit.