Imagjinoni të përpiqeni të shijoni vaktin tuaj të preferuar, por mishrat ju dhembin, goja është e thatë dhe përtypja bëhet e vështirë.

Për shumë njerëz me diabet, ky është një realitet i përditshëm që shpesh mbetet i pavënë re, sipas alertscience.com.

Ndërsa kujdesi ndaj diabetit zakonisht përqendrohet te zemra, këmbët, sytë, mëlçia dhe veshkat, goja shpesh harrohet megjithëse shëndeti oral ndikon drejtpërdrejt dhe ndikohet nga niveli i sheqerit në gjak.

Diabeti dëmton enët e gjakut dhe nervat, ngadalëson shërimin e plagëve dhe dobëson aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. Këto ndryshime e bëjnë gojën, e cila ka inde të buta, të forta dhe një “bashkësi “të gjerë bakteresh, veçanërisht të ndjeshme.

Studimet tregojnë se njerëzit me diabet preken më shpesh nga probleme si thatësia e gojës, prishja e dhëmbëve, sëmundjet e mishrave, infeksionet orale, vështirësia në përshtatjen e protezave dhe madje humbja e dhëmbëve.

Një kërkim i ri ka zbuluar lidhje të qartë mes diabetit të tipit 2 dhe prishjes së rëndë të dhëmbëve. Nivelet e larta të sheqerit, të kombinuara me ndryshimet në sasinë dhe cilësinë e pështymës, krijojnë kushtet perfekte për zhvillimin e kariesit.

Shumë njerëz nuk e dinë këtë lidhje, duke hyrë kështu në një cikël të rrezikshëm ku diabeti dhe problemet orale e përkeqësojnë njëri-tjetrin.

Tek personat me diabet, rreziku për sëmundjen e mishrave të dhëmbëve është dukshëm më i lartë. Bakteret ushqehen me sheqerin e tepërt në pështymë dhe prodhojnë acide që irritojnë mishrat. Nëse infeksioni përparon, mund të shkaktojë humbje të kockës që mban dhëmbët, duke sjellë lëkundjen ose rënien e tyre. Mbajtja e sheqerit në nivele të qëndrueshme, së bashku me higjienë të mirë orale, e ul shumë këtë rrezik.

Një tjetër problem i zakonshëm është goja e thatë. Pështyma mbron natyrshëm dhëmbët duke larë grimcat e ushqimit dhe neutralizuar acidet. Kur prodhimi i saj është i ulët ,çka është më e shpeshtë te diabetikët dhe te njerëzit që marrin nedikamente për tensionin, depresionin apo dhimbjet nervore, rritet rreziku për karies dhe infeksione.

Thatësia e gojës ndikon edhe tek përdoruesit e protezave, pasi pështyma ndihmon në stabilizimin e tyre dhe parandalon irritimet. Në mungesë të saj, protezat shkaktojnë plagë dhe mund të favorizojnë zhvillimin e kandidiozës. Kujdesi i rregullt ndaj protezave, pastrimi ditor, heqja gjatë natës dhe kontrolli periodik, mund të përmirësojë ndjeshëm komoditetin dhe shëndetin oral.

Në fund, kujdesi i mirë ndaj gojës nuk përmirëson vetëm buzëqeshjen, ai e bën të ngrënit më të lehtë, ndihmon në kontrollin e sheqerit dhe rrit cilësinë e jetës.

Edukimi, zakonet e shëndetshme ditore dhe vizitat e rregullta te dentisti janë hapa kyç për të parandaluar komplikacionet e shëndetit oral të lidhura me diabetin