Për të përmirësuar situatën e trafikut të rënduar, bashkia e Vlorës do të vendosë semaforë inteligjentë në pikat më problematike në qytet.

Për të diskutuar mbi këtë çështje, kryetarja e bashkisë Vlorë, Bruna Mersini mblodhi sot në një takim përfaqësues nga Ministria e Brendshme si dhe Drejtoria Vendore e Policisë.

Mersini bëri të ditur se pas inspektimit në terren u diskutua mundësia e vendosjes së semaforëve inteligjentë në pikat më problematike të qytetit.

“Për të lehtësuar trafikun dhe për të rritur sigurinë rrugore, masat që do të ndërmarrim do të jenë të shpejta dhe të dobishme për qytetarët e Vlorës”, siguroi ajo.

Trafiku i rënduar mbetet një problematikë për qytetin bregdetar jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe gjatë fundjavave, kur numri i vizitorëve në qytet shtohet ndjeshëm.