Artistët që i kanë dhënë jetë këtij institucioni ndër vite kujtojnë me emocion rrugëtimin e gjatë të teatrit.

Për të shënuar këtë 75-vjetor, Teatri i Kukullave ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndriçimin e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.

Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të mund të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.

Me këtë rast kujtohen figurat e para që ngritën artin e kukullës në Shqipëri: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Xhavit Sallaku, Lorenc Pepa, Mirketa Çobani, Zef Kurti, Eva Pëllumbi, Melpomeni Çobani, Bakie Baboçi, Shegushe Bebeti e shumë të tjerë.

Janë pikërisht këta artistë që kanë bërë të paharrueshme personazhe ikonike si Pinoku, Borëbardha, Ujku, Gjergj Elez Alia, Bardhoshja dhe Zana, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të vogël ndër vite.

Teatri fton të gjithë qytetarët të bashkohen në festimet e këtij viti jubilar, duke rikthyer emocionet e fëmijërisë dhe duke përjetuar magjinë që ka shoqëruar prej dekadash publikun më të pastër, fëmijët.