Sipas të dhënave të OKB-së, mund të duhen deri në 1000 vjet për të prodhuar vetëm 2-3 cm tokë. Deri në 58% më shumë ushqim mund të prodhohet përmes menaxhimit të qëndrueshëm të tokës dhe llogaritet se, prodhimi bujqësor do të duhet të rritet me 60% për të përmbushur kërkesën globale për ushqim në vitin 2050.

Por përballë ndryshimeve klimatike dhe aktivitetit njerëzor, tokat po degradohen. Erozioni prish ekuilibrin natyror, duke reduktuar infiltrimin e ujit dhe disponueshmërinë për të gjitha format e jetës, dhe duke ulur nivelin e vitaminave dhe lëndëve ushqyese në ushqim.

Kur mendojmë për tokën, pothuajse gjithmonë e lidhim atë me fshatin dhe natyrën, por OKB kujton se, toka urbane është gjithashtu thelbësore.Nën asfaltin, ndërtesat dhe rrugët shtrihet dheu që, nëse është i depërtueshëm dhe me bimësi, ndihmon në thithjen e ujit të shiut, rregullimin e temperaturës, ruajtjen e karbonit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Por kur vuloset me çimento, i humbet këto funksione, duke i bërë qytetet më të prekshme ndaj përmbytjeve, mbinxehjes dhe ndotjes.