Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se përdorimi më i gjerë i mjeteve të reja kundër malaries, përfshirë rrjetat me përbërës të dyfishtë dhe vaksinat e rekomanduara nga OBSH-ja, ndihmoi në parandalimin e rreth 170 milionë rasteve dhe një milion vdekjeve në vitin 2024.
Inovacionet e miratuara nga OBSH-ja po përfshihen gjithnjë e më shumë në sistemet rutinë shëndetësore. Që nga miratimi i vaksinave të para kundër malaries në vitin 2021, 24 vende i kanë përfshirë ato në programet kombëtare të imunizimit, thuhet në raportin vjetor botëror kundër malaries të agjencisë.
Kimioparandalimi sezonal i malaries është zgjeruar për të arritur 54 milionë fëmijë në vitin 2024, nga rreth 0.2 milionë në vitin 2012. Progresi drejt eliminimit vazhdoi me 47 vende dhe një territor të certifikuar pa malarie deri më sot. Kepi i Gjelbër dhe Egjipti arritën certifikimin në vitin 2024 ndërsa Gjeorgjia, Surinami dhe Timori Lindor i ndoqën në vitin 2025, thekson raporti.
Pavarësisht këtyre përparimeve, raporti potencon 282 milionë raste dhe 610 mijë vdekje në vitin 2024, rreth 9 milionë raste më shumë se vitin e kaluar. Rreth 95 për qind e vdekjeve ndodhën në rajonin afrikan të OBSH-së, kryesisht tek fëmijët nën 5-vjeç.
“Mjetet e reja për parandalimin e malaries po na japin shpresë të re, por ne ende përballemi me sfida të rëndësishme. Numri në rritje i rasteve dhe vdekjeve, kërcënimi në rritje i rezistencës ndaj ilaçeve dhe ndikimi i shkurtimeve të fondeve kërcënojnë të pengojnë progresin që kemi bërë gjatë dy dekadave të fundit. Megjithatë, asnjë nga këto sfida nuk është e pakapërcyeshme”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.





