Projekti, i cili do të ishte investimi i parë i madh i drejtpërdrejtë amerikan në sektorin e energjisë në këtë pjesë të Evropës, mund të fillojë që vitin e ardhshëm, konfirmuan Ambasada amerikane dhe autoritetet e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Deri më tani, gazsjellësit në Evropën Juglindore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose lokale, ndërsa kompanitë amerikane kanë ofruar kryesisht shërbime konsulence.
Projekti, nëse realizohet, do të shënojë një pikë kthese.
Për herë të parë, Bosnje dhe Hercegovina do të merrte gaz direkt përmes terminalit LNG në ishullin Kërk në Kroaci, duke diversifikuar kështu burimet e energjisë dhe duke zvogëluar varësinë nga Rusia.
Por, as Qeveria e Federatës dhe as Ambasada amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kanë njoftuar ende se cila kompani është e interesuar për këtë projekt.
Gjatë dy muajve të fundit, zyrtarët amerikanë, përfshirë zëvendësit e sekretarit të Shtetit Mark Fleming, Joshua Voltz dhe Daniel J. Lawton, sekretarët e Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Chris Wright dhe Doug Burgum, dhe kongresistët Mike Turner dhe Donald Norcross, kanë zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ambasada amerikane në Sarajevë, pas një sërë takimesh me autoritetet lokale, ka thënë se “synimi është që puna të fillojë që vitin e ardhshëm”.
Si u gjend Bosnje dhe Hercegovina në hartën energjetike të SHBA-së?
“Bosnje dhe Hercegovina është jashtëzakonisht e cenueshme në aspektin e energjisë, pasi mbështetet në energjinë hidroelektrike dhe qymyr, ndërsa pjesa e gazit është shumë e vogël. Ndërtimi i Ndërlidhjes Jugore do ta rriste përdorimin e gazit dhe do t’i jepte fund varësisë nga Gazprom-i [rus], duke siguruar qasje në tregun global”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aliaksandr Novikau, profesor i Sigurisë Energjetike në Universitetin IUS të Sarajevës.
Çfarë duhet të bëjnë autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë?
Ligji që rregullon ndërtimin e Ndërlidhjes Jugore të gazit u miratua në janar të këtij viti nga Parlamenti i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, pavarësisht kundërshtimeve nga partitë e mbledhura rreth Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ato kanë propozuar krijimin e një kompanie të re për të menaxhuar projektin dhe kanë këmbëngulur se kompania shtetërore BH-Gas nuk ka kapacitet për ta zbatuar atë.
BH-Gas është e listuar në ligj si investitor ekskluziv, me privilegje të tilla si përjashtimi nga pagesa e kompensimit për tokën nëpër të cilën do të kalojë tubacioni i gazit, shkruan REL.





