Marrëveshja e nënshkruar nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e Francës, Catherine Suard, synon mësimin dygjuhësh në shkollat “Raqi Qirinxhi”, “Gjergj Kastrioti”, “Luigj Gurakuqi”, “Oso Kuka” dhe “Asim Vokshi”.

Në këto shkolla kurrikula zhvillohet deri në 50% në gjuhën frënge, duke u dhënë nxënësve edhe certifikimin ndërkombëtar të frëngjishtes përmes provimit DELF, sikundër mbështeten edhe 20 shkolla 9-vjeçare për këtë sistem dygjuhësh.

Ambasadorja Catherine Suard nga ana tjetër u shpreh se liceu franko-shqiptar do të sjellë të rinj frankofonë, të cilët do të jenë ura lidhëse mes dy vendeve.

“Është një privilegj që udhëheqësit e dy vendeve, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri Edi Rama kanë dëshiruar duke u mbështetur tek historia, por duke dhënë një mesazh drejt së ardhmes, se është e rëndësishme që edhe në Shqipëri të kemi një lice franko-shqiptar i cili kontribuon në evropianizimin e arsimit, që na sjell të rinj frankofonë të cilët do të jenë ura lidhëse mes dy vendeve tona”, tha Suard.

Ministrja Kumbaro tha se mësimi i frëngjishtes do t’u japë mundësi shumë të rinjve, duke i parapërgatitur ata të studiojnë në liceun franko-shqiptar, me orientim shkencor, i cili pritet të hapë dyert në shtator të vitit 2027.

“Sot mësimin e frëngjishtes kemi arritur ta shtrijmë përtej shkollave, për ata fëmijë dhe familje që e kanë kuptuar avantazhin e të mësuarit të frëngjishtes për ta kthyer në një gjuhë shkolle e pune, ndër të tjera t’i përgatisim edhe për liceun franko-shqiptar, sipas synimit që kemi për ta hapur në shtator të vitit 2027, mbasi të kemi përgatitur ligjin, të kemi përgatitur buxhetin, të kemi mbyllur programet të cilat në masën 95% i kemi të miratuara mes dy qeverive dhe nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP)”, theksoi Kumbaro.