Në Funar, 20 km në veri të qytetit të Elbasanit, do të zbatohet projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, duke e kthyer atë në një nga destinacionet e aventurës dhe natyrës në Shqipëri në vitin 2026.
Ky projekt realizohet falë bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit IPA III CBC, që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale në partneritet me bashkinë e Krushevës në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë projekt parashikohet krijimi i një parku të ri aventurash dhe shtigjeve të shënjuara drejt kanioneve të Dopajit, organizimi i trajnimeve për sipërmarrësit lokalë në turizëm të qëndrueshëm dhe ekonomi qarkulluese si dhe promovimi i Funarit si destinacion i turizmit të aventurës në rajon, përmes aktiviteteve gjithë vitit 2026.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha sot për ATSH-në se “ky projekt vijon transformimin e Funarit si destinacion i turizmit malor dhe aventurës, pas investimeve të mëparshme të IPA II CBC, të cilat përfshinin ndërtimin e Infopoint-it dhe pistës së parashutizmit”.
“Me këto investime të reja dhe përfshirjen në Paketën e Maleve, Funari pritet të ketë një rol të veçantë në zhvillimin e turizmit të aventurës në Shqipëri, duke sjellë më shumë vizitorë, zhvillim ekonomik dhe mundësi për komunitetin lokal në vitin 2026”, tha Llatja.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët”.
Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale dhe ujëmbledhësit, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin rural, kulturor dhe sportet në natyrë.
Fshati turistik i Funarit është një nga katër zonat e shpallura prioritare për zhvillim nga këshilli bashkiak i Elbasanit, së bashku me Gjinarin, Treganin dhe Shushicën. Këto zona përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin.
Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si parashutizmi, kajakë në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.





