Një moment prekës për shumë dashamirës të kafshëve: për arsye mjekësore çifti i vetëm i pandave gjigante të strehuara në Francë u largua nga kopshti zoologjik ”Beauval”, për t’u kthyer në Kinë më herët se sa ishte planifikuar.

Dy arinjtë, Huan Huan dhe Yuan Zi, të moshës 17 vjeç, u vendosën në dy arka të bardha me shënimin “Rrugë të mbarë!” dhe hipën me radhë në një kamion që mbante imazhin e tyre.

Vetëm dy panda, të lindura nga bashkimi i tyre, kanë mbetur tani në ”Beauval”.

Largimi i tyre, i nxitur nga insufiçienca renale e Huan Huan, ngjalli emocione midis shumë admiruesve.

Më shumë se 200 njerëz përballuan të ftohtin dhe erën të dielën për të dëshmuar paraqitjen e tyre të fundit publike.

Çifti i pandave, dhuruar Francës si gjest diplomatik nga Pekini në vitin 2012, u nis nën shoqërimin e policisë për në aeroportin ”Roissy”.

Disa minuta para nisjes, pandat u shfaqën për herë të fundit para kujdestarëve të tyre që kishin ardhur për t’i thënë lamtumirë.

Ministri francez i deleguar për Tranzicionin Ekologjik, Mathieu Lefèvre dhe një zyrtar nga ambasada e Kinës në Paris do t’i presin për një lamtumirë të fundit para nisjes së tyre.

Që nga mbërritja e tyre në Francë me një aeroplan të dekoruar me imazhin e tyre, këto panda krijuan një eufori të vërtetë.

Ata kanë kontribuar në suksesin e kopshtit zoologjik, i cili mirëpriti dy milionë vizitorë dhe gjeneroi 113 milionë euro të ardhura në vitin 2023.

Duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur kapele pandash, Patrice Colombel dhe gruaja e tij Véronique erdhën nga Bordeaux për një lamtumirë të fundit.

“Jemi të trishtuar. Para tyre, nuk kisha parë kurrë një panda”, tha ajo për AFP-në.

Pandat lindën tre këlyshë: një mashkull i lindur në vitin 2017 i cili u nis dy vjet më parë për në Kinë, dhe binjake që do të qëndrojnë në kopshtin zoologjik ”Beauval” të paktën deri në janar 2027.

Një udhëtim prej gati 9 000 kilometrash e pret çiftin e pandave, të cilët do të udhëtojnë per në qendrën e ruajtjes së pandave ”Chengdu” si pjesë e programit ndërkombëtar të kërkimit dhe shumimit për pandat gjigante.

Fillimisht, ato nuk ishin planifikuar të largoheshin deri në fillim të vitit 2027.

Një specie e rrallë dhe e cenueshme, këta arinj të mëdhenj zgjojnë simpati në të gjithë botën.

Në natyrë, ato gjenden vetëm në Kinë, ku përdoren si mjet ndikimi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Si pjesë e “diplomacisë së pandave”, Pekini jep hua disa panda jashtë vendit për të forcuar marrëdhëniet e tij me vende të caktuara.

Jashtë Kinës, vetëm rreth 20 kopshte zoologjike strehojnë këta arinj barngrënës.

“Insufiçienca renale nga e cila vuan Huan Huan është një sëmundje mjaft e zakonshme në këtë moshë”, thekson drejtori i parkut zoologjik Rodolphe Delord.

“Kopshti zoologjik Beauval tani shpreson të fillojë diskutimet me Kinën për të zgjatur partneritetin dhe pse jo të sjellë panda të tjera në të ardhmen”, sipas Delord