Sipas të dhënave zyrtare, 132,764 nxënës janë kontrolluar për problematika dentare, ndërsa 102,201 për shikimin, duke mundësuar zbulim të hershëm dhe ndërhyrje në kohë për shmangien e komplikacioneve të mëvonshme.
Në shkollën 9-vjeçare Vasil Shanto në kryeqytet, programi i depistimit zbatohet prej vitesh. Mjekja e shkollës, Entela Stërkeshi, thekson se kabineti shëndetësor funksionon çdo ditë dhe ofron jo vetëm shërbim mjekësor, por edhe promocion shëndetësor për nxënësit.
“Punojmë ngushtë me drejtuesit e shkollës, psikologun dhe koordinatorin e karrierës. Depistimi i shikimit kryhet çdo dy vjet për klasat e 3-ta, 5-ta, 7-ta dhe 9-ta”, shprehet ajo.
Gjatë periudhës shtator–nëntor, në këtë shkollë janë depistuar 538 nxënës, nga të cilët 69 janë referuar për vizitë tek mjeku specialist.
Programi Kombëtar i Depistimit të Shikimit, i nisur në vitin 2022, shkon përtej shkollës: ai nis që në lindje, me vlerësimin e të porsalindurve dhe vijon me rivlerësime periodike në qendrat shëndetësore dhe në shkolla. Paralelisht, programi dentar për fëmijët 6–14 vjeç synon zgjerimin e kabineteve dentare në shkolla, ndërsa në zonat rurale shërbimi ofrohet edhe përmes njësive të lëvizshme.
Vetëm gjatë vitit 2024, në rang kombëtar u realizuan 269,612 vizita dentare, përfshirë 66,456 depistime dhe mbi 62 mijë procedura terapeutike, si mbushje, mjekime, pastrime dhe ekstraksione.
Edhe në fushën e shikimit, shifrat flasin për një ecuri pozitive: gjatë vitit shkollor 2023–2024 u kryen 86,007 depistime, me 9,815 referime tek specialistët, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
Programet e depistimit në shkolla po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një mburojë parandaluese për shëndetin e fëmijëve, duke garantuar jo vetëm zbulimin e hershëm të problemeve, por edhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.





