Boga dhe Qafa e Thores

0
5

Boga është shndërruar në një pikë të preferuar për turizmin malor si nga turistët vendas dhe ata të huaj.

Ajo është një pikënisje e aventurës mes Alpeve Shqiptare, të cilat fshehin në gjirin e tyre shtigje magjike, që mbeten për t’u zbuluar nga turistët.

Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme ilire, që sipas arkeologëve rezultojnë të periudhës romake dhe datojnë nga fundi i shekullit II – shekullin III pas lindjes së Krishtit.

Boga ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore, të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm, duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone.

Boga dhe zonat përreth, shquhen në fushën e prodhimeve blegtorale, të artizanatit, të prodhimeve artistike me dru me karakter kombëtar, të cilat e pasurojnë dhe e bëjnë më të larmishme tregun e produktit turistik që ofrohet.

Në Bogë zhvillohen sporte si alpinizmi, i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë, ashtu edhe për profesionistë.

Po ashtu në këtë zonë mund të zhvillohen gara ose ecje me kuaj, shëtitje me biçikleta, etj.