Reshjet e para të borës që kanë zbardhur veriun e Shqipërisë e kanë kthyer fshatin turistik të Razmës në Shkodër, në një destinacion të preferuar për vizitorët.

E ndodhur në zemër të Alpeve, në një lartësi 900 metra mbi nivelin e detit, Razma ofron kontraste mahnitëse të relievit, nga majat e maleve në lëndinat dhe kullotat alpine që shtrihen mbi gropat akullnajore-karstike.

Me një rrugë panoramike që ofron pamje spaktakolare të natyrës mes maleve, udhëtimi drejt Razmës është një tjetër eksperiencë e këndshme për këdo që zgjedh ta vizitojë.

E shtrirë në këmbët e malit të Veleçikut, Razma e cila ndodhet rreth 40 kilometra larg nga Shkodra, kthehet në një destinacion të preferuar veçanërisht në stinën e dimrit, kur pyjet e dendur të ahut dhe pishës ofrojnë pamje spektakolare nën petkun e borës.

Të shumtë janë vizitorët që zgjedhin pikën turistike të Razmës për të kaluar fundjavat me borë, apo për të ushtruar sportet dimërore.

Vitet e fundit ky destinacion është shndërruar ndër më të preferuarit nga turistët vendas e të huaj, të cilët grishen prej natyrës, ajrit të pastër dhe mikpritjes së banorëve të fshatit, që e kanë promovuar Razmën si një vend të preferuar për t’u vizituar në çdo stinë.

Banorët kanë investuar po ashtu në bujtina e agroturizme, të cilat ofrojnë pamje mahnitëse të vendosura mes pyjeve me pisha që rrethohen nga majat e larta të alpeve.