Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, ritmi i rimbursimeve konfirmon vijimësinë e procesit për kthimin në kohë të detyrimeve ndaj tatimpaguesve dhe mbështetjen e likuiditetit të bizneseve.
Paralelisht me rritjen e rimbursimeve, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) neto u realizuan në 56,7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7,5 miliardë lekësh ose 15,3% krahasuar me dhjetëmujorin e vitit 2024, si edhe 112 milionë lekë mbi planin e periudhës.
Në total, Administrata Tatimore arkëtoi 214 miliardë lekë nga tatimet dhe taksat për dhjetëmujorin e parë të vitit 2025, 25 miliardë lekë ose 13,2% më shumë se një vit më parë, ndërsa performanca rezultoi 472 milionë lekë mbi planin e parashikuar.
Sipas Ministrisë së Financave, ecuria pozitive e rimbursimeve dhe e të ardhurave tatimore reflekton rritjen e aktivitetit ekonomik, përmirësimin e administrimit tatimor dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit ndaj informalitetit.





