AKMC njoftoi sot se, në shumë zona situata është stabilizuar, ndërsa në qarqe si Vlorë, Lezhë dhe Fier janë kryer evakuime të disa familjeve për shkak të rritjes së prurjeve të lumenjve dhe prezencës së ujit në zona të banuara.
Në qarkun e Vlorës ka nisur tërheqja e ujërave të lumit Vjosë. Për arsye sigurie, në njësinë Novoselë janë evakuuar dje 7 familje, ndërsa 3 të tjera pranë urës së Mifolit, duke e çuar në 10 numrin total të familjeve të larguara.
Në Himarë është hapur rruga Shën Vasil–Nivicë, ndërsa vijon pastrimi i segmentit Selenicë–Rromës. Në Sarandë është nën monitorim aksi Sarandë–Delvinë në Shelegar për shkak të daljes së lumit të Kalasës nga shtrati, ndërkohë që me prioritet po punohet për shmangien e rrezikut për banesat në fshatin Çukë, ku argjinatura e lumit Bistricë është dëmtuar.
OSHEE vijon punën për rilidhjen e energjisë në tunelin e Llogarasë, ndërsa ekipet në terren kanë ndërhyrë për largimin e ujit nga banesa në Ksamil, Metoq dhe Vrion. Rrugët hyrëse të Delvinës janë të kalueshme dhe hidrovorët në Vlorë punojnë me kapacitet të plotë.
Në qarkun e Fierit po monitorohet me vëmendje situata në zonat Kashisht–Çervën–Ferras, ku lumi ka dalë nga shtrati, por ujërat janë brenda argjinaturës. Rreth 50–60 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe një familje me dy anëtarë është evakuuar në Çerven.
Ka prezencë uji në oborret e rreth 30 ndërtesave, ndërsa janë stakuar pompat në stacionin e ujësjellësit në Kafaraj si masë sigurie. Edhe lumi Seman paraqet rritje prurjesh, por pa rrezik në zona të banuara.
Në qarkun e Korçës po monitorohet situata e prurjeve të lumenjve Devoll dhe Dunavec. Në zonat Dërsnik, Bulgarec dhe lagjja nr. 6 po bëhet devijimi provizor i ujërave, ndërsa në Sheqeras ka ndërhyrje në një banesë. Po punohet gjithashtu për pastrimin e gurëve të rënë në akset Qafë-Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë-Thanë.
Në qarkun e Lezhës, në njësitë Shënkoll dhe Zejmen, niveli i ujit vijon të rritet pas çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Ekipet e emergjencave po punojnë për të mbrojtur banesat dhe bizneset, ndërsa në disa raste është kryer evakuim me varka. Punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë edhe sot.
Në Kurbin vijon puna në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, ndërsa në Mirditë situata është e stabilizuar. Niveli i lumit Drin është në rënie dhe hidrovorët janë funksionalë, me përjashtim të atij të Talenit.
Në qarkun e Durrësit nuk ka rritje niveli në lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj po punojnë normalisht, ndërsa vijon pastrimi i kanaleve të Tonës dhe Tarinit. Lumi Erzen është në tërheqje. Situata është e qetë edhe në bashkinë e Krujës, ku ka përfunduar forcimi i argjinaturës së lumit Droje dhe po pastrohen kanalet në Borzanë e njësinë Cudhi.
Në qarkun Dibër, situata paraqitet e stabilizuar në Bulqizë, ndërsa puna për hapjen e përrenjve vazhdon në Luzni, Zall-Dardhë dhe Muhur. Rrugët e disa fshatrave në Mat janë hapur, ndërsa në bashkinë e Klosit po punohet për pastrimin e rrëshqitjeve të dheut. Funksionimi i energjisë është normal përveç fshatit Vakuf.
Në qarkun e Shkodrës reshjet kanë vijuar me intensitet mesatar deri të lartë. Në Fushë-Arrëz po bëhet pastrimi i rrugëve, ndërsa në Malësinë e Madhe është shënuar rritje e prurjeve në përroin e Thatë.
Në qarkun e Beratit monitorohen prurjet e larta të lumit Osum, i cili paraqet rrezik daljeje nga shtrati në lagjen Goricë. UKT ka ndërhyrë në lagjen “28 Nëntori”. Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ka ende prani uji në tokat bujqësore të Çifligut dhe Arrëzit.
Në qarkun e Gjirokastrës janë pastruar materialet e rrëzuara gjatë natës në akset Kardhiq–Delvinë, Tepelenë–Gjirokastër dhe Gjirokastër–Kakavijë, të cilat tani janë të qarkullueshme.
Në qarqet e Kukësit, Tiranës dhe Elbasanit situata paraqitet e stabilizuar, ndërsa në disa fshatra vijon puna për rikthimin e energjisë elektrike.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe të gjitha strukturat në varësi të tyre mbeten në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendore e qendrore për menaxhimin e çdo situate dhe marrjen e masave të nevojshme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.





