Tryeza e diskutimit, e titulluar “Women Leaders Breakfast”, u mbajt në Shtëpinë e Biznesit, në Piramidën e Tiranës, dhe mblodhi gra lidere nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që hasin ato në fushën e biznesit.

Tryeza ofroi një mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave mes grave sipërmarrëse dhe ekspertëve të industrisë, duke nxitur një dialog konstruktiv mbi mënyrat se si mund të fuqizohet më tej pjesëmarrja e grave në ekonominë shqiptare.

Gjatë tryezës, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Blerta Rama, theksoi angazhimin e ministrisë për të krijuar mundësi të barabarta dhe për të mbështetur gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre përmes politikave të qëndrueshme dhe programeve mbështetëse.

“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është e përkushtuar të mbështesë çdo grua që dëshiron të ndërtojë dhe zhvillojë biznesin e saj. Përmes politikave të duhura, programeve të ndërtimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, ne synojmë të krijojmë një mjedis ku gratë sipërmarrëse mund të kontribuojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh zv.ministrja Rama.

Menaxherja e Lartë e Komunikimit Korporativ në “Visa” për rajonin e Juglindjes së Evropës, Jovana Tufegdžić, theksoi rëndësinë e iniciativës “She’s Next”, e cila ka ofruar mbështetje për më shumë se 13 mijë gra sipërmarrëse në Ballkan.