Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është gati të sjellë në Qendrën “Sotir Kolea”, ekspozitën dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”.

Ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi ndërinstitucional mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ekspozita paraqet një përzgjedhje të pasur materialesh historike: gazeta dhe medie të kohës, libra dhe kujtime personale të autorëve, dëshmitarëve dhe gazetarëve; fotografi dhe artefakte autentike nga fronti, jeta në mërgim dhe kthimi i refugjatëve; si dhe një dokumentar të veçantë, me pamje arkivore dhe rrëfim kronologjik të rrugës drejt lirisë.