AKZM: Shpëtohet ariu i murrmë i rënë në kurth në Trebinjë

0
2

Një ari i murrmë që kishte rënë në kurth në Trebinjë (Pogradec)

u shpëtua në kohë rekord, falë një operacioni të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me AdZM Korçë, Qendrën AWRT, stafin e Kopshtit Zoologjik Tiranë dhe Shoqatën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, AKZM theksoi se “ariu tashmë është i lirë dhe në gjendje të mirë. Ai është pajisur edhe me një GPS në pjesën e qafës për të monitoruar lëvizjet në vijimësi”.

Duke marrë shkas nga rasti konkret dhe nga humbja e një ariu vetëm pak ditë më parë në Memaliaj (Tepelenë), AKZM i bën thirrje të gjithë banorëve, turistëve dhe institucioneve lokale, të njoftojnë menjëherë nëse ndeshen me raste të tilla, ose me kafshë të egra në nevojë.

“Së bashku mundemi, të mbrojmë dhe mundësojmë habitate të shëndetshme, për banorët e natyrës. Ndaj falënderojmë të gjithë strukturat që kontribuuan ditën e sotme, Policia e Shtetit, Kopshtit Zoologjik Tiranë, PPNEA dhe Qendra AWRT”, tha AKZM.

Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që në Shqipëri të ketë një shtim të kafshëve të egra gjatë viteve të fundit.

Ariu i murrmë (Ursus arctos) gëzon mbrojtje në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke u renditur në Aneksin II të Konventës së Bernës dhe në Direktivën Evropiane të Habitateve.