Metodat e përmirësuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) sugjerojnë se migracioni neto arriti një pikë më të lartë dhe pak më herët, në 944 000 për vitin që përfundoi në mars 2023, krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 906 000 për vitin që përfundoi në qershor 2023.

Pas kësaj, ndodhi një rënie më e thellë sesa ishte raportuar fillimisht, me migracionin në dhjetor 2024 të vlerësuar tani në 345 000, më pak se parashikimi origjinal prej 431 000 i publikuar nga ONS në maj të këtij viti.

Shkaku kryesor i ndryshimit në shifrat e migracionit neto është përmirësimi i mënyrës se si ONS llogarit migracionin e shtetasve britanikë.

Migracioni neto është diferenca midis numrit të njerëzve që migrojnë afatgjatë në MB dhe atyre që largohen nga vendi.

”Vlerësimet për migracionin neto të shtetasve britanikë më parë bazohej në Anketën Ndërkombëtare të Pasagjerëve (IPS), e cila kishte një madhësi shumë të vogël të mostrës dhe ishte zgjatur përtej qëllimit të saj origjinal, ndaj nuk konsiderohej më një matës i besueshëm”, tha ONS.

Tani vlerësimet prodhohen duke përdorur të dhëna më të forta dhe gjithëpërfshirëse nga Departamenti i Punës dhe Pensioneve, që përfshin të gjithë personat me numër sigurimi kombëtar dhe mund të përdoret për të përcaktuar statusin e mundshëm të migracionit të individëve në Britaninë e Madhe.

Këto të dhëna të përmirësuara kanë çuar në rishikimin në rritje të vlerësimeve për emigracionin e shtetasve britanikë.

Në vitin 2024, tani vlerësohet se rreth 257 000 shtetas britanikë kanë lënë vendin krahasuar me parashikimin fillestar prej 77 000 personash.