Fluturimet hipersonike mund t’i shndërrojnë udhëtimet ndërkombëtare në udhëtime njëorëshe duke shndërruar ëndrrën fantastiko-shkencore në realitet, sipas scitechdaily.com.
“E vërtetë, që këto fluturime e zvogëlojnë planetin. Do ta bëjë udhëtimin më të shpejtë, më të lehtë dhe më të këndshëm”, thotë profesor Nicholaus Parziale.
Barriera e nxehtësisë dhe turbulencat
Të bësh gjysmën e globit për një orë mund të duket e pamundur, por ne po i afrohemi gjithmonë e më shumë këtij qëllimi.
Avionët ushtarakë tashmë e arrijnë dy ose edhe tre herë shpejtësinë e zërit. Sfida më e madhe qëndron në turbulencën dhe nxehtësinë intensive të prodhuar, ndërsa një aeroplan përshkon atmosferën me shpejtësi kaq ekstreme.
Ajri nuk sillet në të njëjtën mënyrë në shpejtësi të ngadalta dhe të shpejta dhe inxhinierët e hapësirës ajrore përdorin terma specifikë për të përshkruar ndryshimin: rrjedhë e pakompresueshme dhe e kompresueshme.
Si e ndryshon kompresueshmëria dinamikën e fluturimit?
Kompresimi shkakton që dendësia e ajrit të ndryshojë në mënyrë dramatike me ndryshimet në presion dhe temperaturë, duke ndryshuar mënyrën se si avioni bashkëvepron me ajrin përreth.
Kompresueshmëria mund të ndryshojë gjëra si ngritja, tërheqja dhe shtytja e nevojshme për t’u ngritur ose për të qëndruar në ajër.
Hipoteza e Morkovinit
”E formuluar nga Mark Morkovin në mesin e shekullit XX, hipoteza e Morkovinit thotë se mënyra se si lëviz ajri në shpejtësi të ulët dhe të lartë nuk është aq e ndryshme”, thotë Parziale.
“Nëse hipoteza është e saktë, kjo do të thotë se nuk kemi nevojë për një mënyrë krejt të re për të kuptuar turbulencën në këto shpejtësi më të larta dhe se aeroplanët hipersonikë nuk kanë nevojë për një qasje të ndryshme në projektim”, thekson ai.
Drejt udhëtimit hipersonik dhe hapësinor
Edhe pse hipoteza nuk është konfirmuar plotësisht ende, studimi na sjell një hap më afër fluturimit hipersonik .
”Gjetjet e studimit gjithashtu premtojnë për ndryshimin e mënyrës se si bëhet transporti hapësinor”, shpjegon Parziale.





