Për projektet e destinuara jashtë vendit, bashkëpunimi mund të realizojë njësitë deri në 80 metra gjatësi dhe 800 tonë ngarkesë.

Në këtë rast, “Fincantieri” do të marrë rolin e kontraktuesit kryesor, duke i besuar bashkëpunimit ndërtimin e anijeve.

Sipas partneritetit, KAYO do të vendosë në dispozicion kantierin detar të Pashalimanit në Vlorë dhe do të investojë në modernizimin e infrastrukturës së tij, ndërsa “Fincantieri” do të mbështesë modernizimin e procesit prodhues, duke ofruar ekspertizë operative, trajnime dhe “know-how” inxhinierik. Po ashtu, do të sigurojë paketa materialesh, duke konsoliduar kështu rolin e tij si partneri kryesor teknologjik.

Pierroberto Folgiero, drejtor ekzekutiv dhe menaxher i përgjithshëm i “Fincantieri”, komentoi se, “marrëveshja përfaqëson një etapë të re të rëndësishme në bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Duke bashkuar ekspertizën dhe resurset tona, kemi krijuar një projekt që forcon zinxhirin e industrisë detare ushtarake, nxit zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor dhe hap perspektiva të reja për rritje ndërkombëtare”.

“Ky është një shembull konkret se si sinergjia midis kompanive dhe vendeve mund të gjenerojë vlerë, siguri dhe të ardhme”, theksoi ai.