Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin do t’i dorëzojë aktores malajziane, Michelle Yeoh çmimin “Ariu i Artë” për vitin 2026.

Drejtuesit e festivalit, të njohur si “Berlinale”, thanë sot se fituesja e çmimit “Oscar” do të njihej për arritjet e saj të shquara në kinematografi dhe ndikimin e qëndrueshëm në kinemanë ndërkombëtare.

Yeoh, një anëtare e jurisë ndërkombëtare në “Berlinale” në vitin 1999, fitoi Çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë në vitin 2023 për rolin e saj në komedinë “Everything Everywhere All at One”.

“Ajo u bë e famshme në vitet 1980 në kinemanë aziatike të aksionit dhe arteve marciale”, sipas deklaratës së “Berlinale-s”.

Më vonë, Yeoh fitoi njohje globale me performancat e saj në filmin e James Bond të vitit 1997 “Tomorrow Never Dies” dhe në dramën romantike “Crouching Tiger, Hidden Dragon” me regji të Ang Lee në vitin 2000.

“Berlini ka patur gjithmonë, një vend të veçantë në zemrën time”, tha Yeoh.

“Ishte një nga festivalet e para që përqafoi punën time me një ngrohtësi dhe bujari të tillë”, shtoi ajo.

“Kthimi pas gjithë këtyre viteve, në shenjë njohjeje të udhëtimit tim në kinema, ndihet vërtet domethënës”, tha Yeoh.

Drejtoresha e “Berlinale-s”, Tricia Tuttle e quajti Yeoh një artiste dhe performuese vizionare, puna e së cilës sfidon kufijtë – qofshin ato gjeografikë, gjuhësorë apo kinematografikë.

Çmimi do të jepet në hapjen e festivalit më 12 shkurt 2026.

Këtë vit, aktorja e njohur britanike, Tilda Swinton u nderua me Çmimin “Ariu i Artë” për arritje në karrierë në Festivalin e 75-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, i njohur gjithashtu si “Berlinale”. Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së hapjes në shkurt 2025.

Fituesit e mëparshëm përfshijnë regjisorët Martin Scorsese dhe Steven Spielberg, si dhe aktoret Isabelle Huppert, Helen Mirren dhe Meryl Streep