Aktori amerikan, Matthew McConaughey dhe ylli anglez, Michael Caine i janë bashkuar yjeve të tjerë, të cilët ia kanë shitur zërat e tyre kompanisë së inteligjencës artificiale “ElevenLabs”.

E themeluar në vitin 2022, startup-i audio me qendër në Nju Jork mundëson ripërdorimin e zërave të klonuar të personazheve të famshëm dhe figurave historike në përmbajtje të re, siç janë reklamat dhe librat audio.

McConaughey, i cili investoi në kompani në vitin 2022, do t’i lejojë kompanisë të përkthejë buletinin e saj “Lyrics of Livin’” në spanjisht duke përdorur zërin e tij të sintetizuar.

Caine gjithashtu e ka huazuar zërin e tij përmes “Iconic Marketplace” të kompanisë për përdorim në aplikacionin e konvertimit të tekstit në të folur, “ElevenReader”.

“Nuk ka të bëjë me zëvendësimin e zërave, por me amplifikimin e tyre, hapjen e dyerve për rrëfyes të rinj kudo”, deklaroi 92-vjeçari,  fitues dy herë i çmimit “Oscar”, duke hedhur poshtë pretendimet se “ElevenLab” po përdor inovacionin për të zëvendësuar njerëzimin.

Ylli i 130 filmave si “Alfie”, “The Italian Job”, “Hannah and Her Sisters”, “The Dark Knight” dhe “Interstellar” tha se e kishte kaluar jetën e tij duke treguar histori

“ElevenLabs” do të ndihmojë brezin e ardhshëm të tregojë të tyren”, tha ai.

Kompania tashmë ka edhe zëra të tjerë. Zërat e listuar në Tregun e Zërave Ikonikë përfshijnë, Liza Minnelli dhe Art Garfunkel, si dhe Maya Angelou, Mark Twain, Thomas Edison dhe J. Robert Oppenheimer.

Figura të tjera të ndjera në listë përfshijnë aktorët John Wayne dhe Rock Hudson, aviatoren Amelia Earhart, yllin e bejsbollit Babe Ruth dhe matematikanin, Alan Turing.

Sipas “ElevenLabs”, Tregu i Zërave Ikonikë zgjidh një nga sfidat kryesore etike në krijimin e përmbajtjes së drejtuar nga IA-ja – duke mundësuar burimin dhe licensimin etik të disa prej zërave më të njohur në botë.

E themeluar fillimisht për të aplikuar teknologjinë e saj në zërat shumëgjuhësh në filma, libra audio dhe lojëra video, “ElevenLabs” është përfshirë në polemika: dy vjet më parë, softueri i saj u përdor për të klonuar zërin e presidentit të atëhershëm Joe Biden në një mesazh telefonik të automatizuar – dërguar mijëra votuesve të New Hampshire.

Në Hollivud, mundësia që IA-ja gjenerative të dëmtojë mundësitë e punësimit po ngre shqetësime midis sindikatave.

Pasi nënshkroi kontratën e fundit që njeh rëndësinë e performancës njerëzore në film, SAG-AFTRA iu bashkua polemikave rreth Tilly Norwood, një aktore e krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale.

Por, edhe aktorët që më parë kishin pranuar kontrata me kompanitë e inteligjencës artificiale tani po ankohen për rezultatet.