Miratimi i Metodologjisë për Vlerësimin e Gatishmërisë së Tregut nga Enti Rregullator i Energjisë, është vlerësuar si një hap kyç për kalimin nga kontratat afatgjata me çmime fikse (PPA) në Kontrata për Diferencë (CfD), një model që mbështet zhvillimin e energjive të rinovueshme përmes tregut të lirë.

Sipas këtij modeli prodhuesit do të shesin energjinë e tyre direkt në tregun ditor.
Po ashtu do të mbrohen nga luhatjet e çmimeve përmes mekanizmit të CfD. Nëse çmimi bie, ata marrin diferencën. Nëse çmimi rritet, e kthejnë mbrapsht fitimin shtesë.

Ky ndryshim pritet të forcojë besimin e investitorëve, rrisë likuiditetin në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX) si dhe të përgatisë Shqipërinë për integrimin në tregun e brendshëm të energjisë të BE-së.

ERE do të përfundojë vlerësimin e parë të gatishmërisë së tregut brenda 6 muajve, duke hapur rrugën për konvertimin e plotë të kontratave ekzistuese në CfD.

Ky proces është zhvilluar me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me kontributin aktiv të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i cili e sheh këtë si një model për vendet e tjera të rajonit që synojnë skema mbështetëse të bazuara në treg