Stilisti i njohur Altin Tila ka çelur pranë ish-kinema “Agimit” në Tiranë ekspozitën e tij të dytë Haute Couture, nën kujdesin e brandit ‘Rawmode Official’, duke sjellë para publikut një përmbledhje të veçantë të punës së tij shumëvjeçare në fushën e modës dhe artizanatit.
Ekspozita përbën një atribut dhe falënderim për artizanët, si dhe një mesazh për të rinjtë, për t’u frymëzuar nga puna dhe kontributi i brezave të mëparshëm, duke ruajtur e përcjellë më tej zanatet tradicionale.
Konceptuar si një atelie artistike, ekspozita ofron gjithashtu demonstrime live të procesit të dekorimit, të shoqëruara me performanca të artistëve të rinj, të veshur me krijime të brandit Raëmode.
Ekspozita ndahet në dy kategori kryesore: Veshje vintage, të ripropozuara dhe rikonceptuara në mënyrë unike dhe krijime origjinale, të ndara në utility garments dhe veshje skenike (kostumografi).
Në koleksion paraqiten që nga këmisha dhe xhaketa të përditshme, deri te kostumet artistike për skenë. Stilisti thekson gjithashtu se gjatë viteve ka sjellë risi në modë me modele të reja në proces patentimi, duke e kthyer ekspozitën në një dëshmi të evolucionit të krijimtarisë së tij artistike.





