BQK drejt anëtarësimit në SEPA
Për t’i ulur kostot bankare, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka përfunduar fazën e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA tek organi kompetent pranë Komisionit Evropian, në fund të vitit të kaluar.
Sipas BQK-së, përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të sjellë kursime vjetore prej rreth 55 milionë eurosh për qytetarët dhe bizneset.
Parakusht për anëtarësim në këtë mekanizëm është harmonizimi i kornizës ligjore vendore me atë të BE-së.
Faza e para-aplikimit, sipas BQK-së, është realizuar më 14 tetor 2024 dhe është përditësuar më 20 dhjetor të po atij viti, pas miratimit në Kuvend të ligjeve përkatëse dhe 20 rregulloreve të reja të miratuara nga Bordi i BQK-së.
“Komisioni Evropian ka pranuar dokumentacionin, por aplikimi final mund të dorëzohet vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjeve”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Radios Evropa e Lirë.
Aplikimi final nuk është dorëzuar ende, pasi tri ligje të rëndësishme – Ligji për bankat, Ligji për shërbimet e pagesave dhe Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit – po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës për shkelje procedurale gjatë miratimit.
“BQK-ja është e përgatitur të procedojë me dorëzimin e aplikacionit përfundimtar për anëtarësim në SEPA dhe, në afatin e caktuar pas përshtatjeve teknike dhe infrastrukturore të sistemit bankar, të realizohet ndërlidhja me këtë zonë, duke adresuar edhe sugjerimet e natyrës teknike, të pranuara nga komentet joformale të BE-së nga faza paraprake”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmon për REL-in se çështja e ligjeve në fjalë është ende në shqyrtim.
“Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigje.
Sipas ekspertit financiar Nexhat Miftari, ish-shef i kabinetit të guvernatorit të BQK-së, anëtarësimi në SEPA do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv për të gjithë.
“Qytetarët që pranojnë remitenca apo transfere të tjera do t’u nënshtrohen tarifave shumë më të lira. Transferet hyrëse dhe dalëse do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lehta për t’u realizuar”, thotë Miftari për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se bankat në Kosovë janë tashmë të përgatitura teknikisht për t’u përshtatur me standardet e SEPA-s, pasi shumica e tyre vijnë nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Sipas Miftarit, përfitimet do të jenë të dukshme edhe për investitorët e huaj, megjithëse “zhvillimet politike dhe ekonomike aktuale nuk garantojnë një rritje të menjëhershme të investimeve të huaja direkte”.





