Në Tepelenë po merr formë Qendra Multifunksionale e Parkut Kombëtar të Vjosës, një hapësirë e veçantë që do të kthehet në dritare natyrore drejt lumit të fundit të egër në Europë.

Ndërsa ndau momente nga puna në këtë kantier, kryeministri Edi Rama informoi se kjo qendër do të përfshijë ambiente për studiuesit dhe laboratorë kërkimorë, një muze natyror me informacion shkencor mbi biodiversitetin e Vjosës.

Projekti për këtë qendër është produkt i një konkursi ndërkombëtar, ndërsa koncepti i tij shfrytëzon përdorimin e materialeve vendase dhe një shkrirje të qendrave të vizitorëve brenda konceptit të peizazhit.

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, i cili përfshin edhe tre degëzimet: Drino, Bënçë dhe Shushicë, përfshin një sipërfaqe prej 12727 hektarësh, në një vijë lumore prej 480 kilometrash në katër qarqe të vendit.

Për këtë arsye, me vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar një zyrë e posaçme për Administrimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe plani i menaxhimit.