Qeveria e Spanjës ka rënë dakord të vendosë masa urgjente dhe drastike për të kursyer energjinë elektrike, pas pushtimit rus të Ukrainës dhe krizës energjetike që pasoi dhe që po i afrohet Evropës. Të gjitha ndërtesat e sektorit publik dhe qendrat tregtare, kinematë, vendet e punës, hotelet, stacionet dhe aeroportet nuk do të lejohen ta vendosin temperaturën më të ulët se 27 gradë Celsius në verë ose më të larta se 19 gradë Celsius në dimër. ”Masat u vendosën në seancën javore të kabinetit në Madrid”, tha ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Teresa Ribera. Ribera theksoi se masat e përshkruara në një dekret mbretëror duhet të vendosen deri në fund të një periudhe kalimtare njëjavore pasi ato të publikohen në Gazetën Zyrtare. Ato do të qëndrojnë në fuqi deri më 1 nëntor 2023. Ribera tha se masat shënojnë një paketë fillestare që është e nevojshme në një “situatë kritike”. ”Evropa ka nevojë për ndihmën e Spanjës”, tha ajo. ”Është koha për solidaritet”, theksoi Ribera. Masat përfshijnë gjithashtu rregulla që dyqanet dhe bizneset të mbajnë dyert e tyre të mbyllura duke përdorur një sistem automatik që duhet të instalohet deri më 30 shtator. Qëllimi i kësaj është të shmanget largimi i ajrit të nxehtë apo të ftohtë. Ndriçimi në zyrat e papërdorura, vitrinat e dyqaneve dhe monumentet duhet të fiken pas orës 22:00. Ribera i bëri thirrje sektorit privat që të rrisë punën nga shtëpia. Spanja po i merr këto dhe masa të tjera që do të vendosen pas pushimit të verës për të përmbushur angazhimet e marra në një plan evropian emergjent të rënë dakord javën e kaluar.https://ata.gov.al/2022/08/02/spanje-masa-drastike-per-kursimin-e-energjise-elektrike/
Masa drastike për kursimin e energjisë elektrike
RELATED ARTICLES