Qendra Shëndetësore Mamurras ofron kujdes parësor në ambiente të rikonstruktuara dhe me standarde moderne.
Rreth 20 mijë banorë të Njësisë Administrative Mamurras përfitojnë sot kujdes shëndetësor në kushte bashkëkohore, falë rikonstruksionit të plotë të Qendrës Shëndetësore të qytetit.
Në këtë qendër ofrohen një gamë e gjerë shërbimesh parësore, përfshirë mjekësinë familjare, konsultorin e gruas, konsultorin e fëmijës, si dhe shërbimin e urgjencës mjekësore. Një risi e rëndësishme është përfshirja e psikologut në strukturë, i cili ofron mbështetje dhe shërbime psiko-sociale për individët dhe familjet në nevojë.
Personeli mjekësor, i përbërë nga mjekë, infermierë, laborantë dhe psikologë, është çdo ditë në shërbim të pacientëve, duke garantuar një kujdes shëndetësor cilësor.
Qendra Shëndetësore Mamurras është një tjetër hap në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe ofrimin e aksesit në kujdes shëndetësor cilësor sa më pranë vendbanimit.





