Në këtë qendër multifunksionale ofrohen asistencë shëndetësore bazë, fizioterapi, këshillime sociale, si dhe aktivitete të ndryshme argëtuese që nxisin komunikimin dhe aktivizimin e anëtarëve. Hapësira është menduar si një shtëpi e dytë, ku çdo detaj është kujdesur për t’u ofruar pjesëmarrësve komoditet, ngrohtësi dhe respekt.
Çdo ditë, punonjëset e qendrës kujdesen për matjen e tensionit dhe kontrollin e diabetit, ofrojnë çaj e kafe sipas dëshirës, ndërsa në ambientet e tjera zhvillohen seanca fizioterapie dhe aktivitete që sjellin buzëqeshje e energji pozitive.
Falë programit dhe bashkëpunimit të Zyrës së Punës me UNDP Albania, të rinj të angazhuar janë bërë pjesë e këtyre qendrave, duke mbështetur stafin në ofrimin e shërbimeve dhe në gjallërimin e jetës sociale të të moshuarve. Ky bashkëpunim ndihmon në forcimin e solidaritetit ndërbrezor dhe krijimin e një komuniteti më të bashkuar.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar vizitën e tij në qendër, ku është takuar me të moshuarit dhe me stafin, duke ndarë me ta ide dhe iniciativa të reja për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve.
“Elbasani është qyteti i njerëzve me shpirt dhe traditë. Kujdesi për të moshuarit nuk është vetëm detyrim, por respekt për brezat që kanë ndërtuar këtë qytet. Synimi ynë është që çdo i moshuar të ketë një vend ku ndjehet i mirëpritur, aktiv dhe pjesë e komunitetit”, u shpreh Llatja gjatë vizitës.
Qendra e Kujdesit Ditor për të Moshuarit në Elbasan është shembull i përkushtimit të bashkisë për ndërtimin e një modeli social gjithëpërfshirës, ku çdo brez gjen hapësirën dhe vlerën e vet në jetën e përditshme të qytetit.
Bashkia Elbasan ka paralajmëruar hapjen edhe të dy qendrave të tjera të këtij lloji brenda vitit, duke zgjeruar kështu rrjetin e kujdesit dhe mbështetjes për moshën e tretë në çdo lagje të qytetit.





