Me buxhetin 2026 synohet që numri i familjeve dhe individëve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të ulet në 59 000 përfitues në vitin 2028, ndërsa për vitet 2026–2027 parashikohet një ulje prej 1000 familjesh në vit. Synimi është punësimi i anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese.

Numri i përfituesve nga PAK dhe kujdestarëve të tyre pritet të arrijë në 98 mijë përfitues në vitin 2028, nga 94 mijë në vitin 2026. Në zbatim të skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, sipas modelit bio-psiko-social dhe standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetit, synohet krijimi i një sistemi shërbimesh integruese, që kombinon pagesat me shërbimet e përkujdesit social.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon mbështetjen e personave nga grupet e pafavorizuara përmes punësimit në ndërmarrje sociale. Synohet të punësohen mesatarisht 150 persona çdo vit, me një fond prej 80 milionë lekësh gjatë periudhës 2026–2028, për integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme sociale dhe ekonomike.

Po ashtu, synohet rritja e numrit të personave të punësuar në ndërmarrjet sociale në raport me anëtarët në moshë pune të skemës së ndihmës ekonomike, duke arritur në 5% në vitin 2028, si dhe rritja e numrit të personave përfitues nga shërbimet sociale të financuara nga fondi social, nga 11 000 në vitin 2025, në 15 000 në vitin 2028.

Projektbuxheti parashikon ofrimin e 95-115 shërbimeve në bashkitë e vendit, me një fond prej 400–450 milionë lekësh përgjatë periudhës 2026–2028. Përfitues parashikohen 61 njësi të vetëqeverisjes vendore në vitin 2028, nga 43 njësi në vitin 2025.

Projektbuxheti parashikon edhe financimin e politikës së mbrojtjes së veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ku njëri prej tyre është nën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 lekë në muaj.

Periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare nëkuadrohet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje. Synohet që të përfitojnë 8700 gra në vitin 2028, nga 8300 gra në vitin 2026, me një fond mesatar prej 870 milionë lekësh gjatë periudhës 2026–2028.

Synohet rritja e numrit të grave dhe vajzave në nevojë të riintegruara pas trajtimit në institucionet e përkujdesit social: 55 gra/vajza në vitin 2028, nga 47 në vitin 2025 si dhe rritja e numrit të familjeve rome dhe egjiptiane që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, nga 2400 familje në vitin 2025, në 2700 familje në vitin 2028.

Në fushën e Sigurimeve Shoqërore, për periudhën 2026-2028 synohet garantimi i mbulimit sa më të plotë të popullsisë me elementë të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të mbajtura në nivele të qëndrueshme.

Kjo do të arrihet nëpërmjet zbatimit të sistemit të reformuar të sigurimeve shoqërore, të përshtatur me zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe thellimit të parimit kontributiv të sistemit.