Investimet në zhvillimin dhe modernizimin e insfrastruktuës në bllokun operator në Spitalin Universitar të Traumës kanë mundësuar krijimin e një mjedisi bashkëkohor ku ndërhyrjet kirurgjikale realizohen me standarde të larta sigurie dhe efikasisteti.

Spitali Universitar i Traumës mbetet struktura e vetme spitalore që ofron shërbim të specializuar për traumën dhe politraumën në nivel kombëtar. Numri i pacientëve që marrin shërbim në këtë spital është në rritje të vazhdueshme, përfshirë edhe shtetas të huaj. Aktualisht, në SUT trajtohen mbi 62 mijë raste urgjente çdo vit.

SUT ofron shërbime të specializuara në fusha të ndryshme, që përfshijnë ortopedinë, kirurgjinë e traumës, kirurgjinë e përgjithshme, neurokirurgjinë, si edhe shërbime të ORL-së, okulistikës dhe kirurgjisë maksilofaciale. Krahas tyre, spitali ofron gjithashtu trajtime në sëmundjet e brendshme, reanimacion, imazheri, farmaci, konsulta ambulatore dhe fizioterapi, duke garantuar kujdes të plotë multidisiplinar për pacientët me trauma dhe politrauma.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Spitali Universitar i Traumës ndodhet në proces rikonstruksioni, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe kushteve të punës e akomodimit, për të garantuar një mjedis më funksional dhe bashkëkohor, që i përgjigjet më mirë rritjes së vazhdueshme të kërkesës për trajtime të specializuara dhe cilësore.