Dy studentë të Universitetit të Melburnit kanë rikrijuar një pajisje mekanike të projektuar në vitin 1775 për të simuluar shpërthimin e Vullkanit Vesuv, duke i dhënë jetë një ideje 250-vjeçare që ndërthur artin dhe shkencën, sipas “Scitech Daily”.

Projekti u bazua në konceptin origjinal të diplomatit dhe vulkanologut britanik Sir William Hamilton, i cili kërkonte të shfaqte bukurinë dhe fuqinë e shpërthimeve vullkanike përmes lëvizjes mekanike dhe efekteve të dritës. Skicat e ruajtura në Bibliotekën Komunale të Bordos-it shërbyen si referencë për rindërtimin modern.

Studentët Xinyu (Jasmine) Xu dhe Yuji (Andy) Zeng ndërtuan pajisjen në laboratorin “The Creator Space”, duke përdorur materiale bashkëkohore si druri i prerë me lazer, akriliku dhe ndriçimi LED i programueshëm. Projekti u finalizua pas tre muajsh pune intensive.

“Ky projekt na lejoi të kombinonim kreativitetin me inxhinierinë praktike”, tha Xu. “Ishte një mënyrë për të mësuar duke ndërtuar diçka që ka edhe vlerë historike”.

Zeng shtoi se sfidat ishin të shumta, veçanërisht balancimi i ndriçimit dhe fshehja e mekanizmave. “Edhe pse përdorëm teknologji moderne, përvoja ishte shumë e ngjashme me atë që mund të ketë pasur Hamilton në shekullin XVIII”, tha ai.

Dr. Richard Gillespie, kurator i në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Teknologjisë së Informacionit, e përshkroi projektin si një mënyrë të jashtëzakonshme për të lidhur historinë me inovacionin.

“Pas 250 vitesh, është mahnitëse të shohësh këtë ide më në fund të realizuar,” u shpreh ai.

Pajisja do të ekspozohet në kuadër të shfaqjes “The Grand Tour” në Bibliotekën Baillieu të Universitetit të Melburnit, e hapur për publikun deri më 28 qershor 2026