Gjatë 9-mujorit të këtij viti gati 9 mijë individë kanë marrë pjesë në programe të formimit profesional, duke fituar aftësi që rrisin mundësitë e tyre për punësim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, 4864 janë gra dhe vajza, ndërsa 5310 janë të rinj dhe të reja deri në 29 vjeç.

Programet kanë përfshirë gjithashtu grupe më vulnerabël, duke përfshirë 899 anëtarë të skemës së ndihmës ekonomike, 248 përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian dhe 118 persona me aftësi të kufizuara.

Objektivi i Agjencisë mbetet aftësimi profesional i individëve dhe sigurimi i një përfshirjeje sa më të gjerë dhe të drejtë në mundësitë e punësimit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të grupeve vulnerabël si pjesë e përpjekjes për zhvillim ekonomik dhe social të vendit.

Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi.

Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grup-moshat.