NASA dhe prodhuesi amerikan i armëve dhe hapësirës ajrore “Lockheed Martin”  testuan me sukses një avion që është i aftë të udhëtojë me shpejtësi më të madhe se ajo e zërit.

Avionët kanë qenë të aftë të fluturojnë me shpejtësi supersonike që nga vitet 1940, por problemi është se fluturimet e tilla janë të ndaluara për udhëtime komerciale mbi tokë, pasi krijojnë një “bum sonik” shpërthyes dhe tronditës që shqetëson publikun.

Avioni supersonik “Concorde”, që operohej nga “British Airways” dhe “Air France”, ofronte fluturime transatlantike që nga vitet 1970, por ato u ndërprenë në vitin 2003 pas një aksidenti fatal tre vjet më parë, që uli ndjeshëm kërkesën për shërbimin e shtrenjtë.

Nëse NASA dhe “Lockheed Martin” arrijnë të ulin ndjeshëm nivelin e zhurmës, avionët e rinj mund të përgjysmojnë kohën e udhëtimit ndërmjet qyteteve si Nju Jork  dhe Los Angeles, duke hapur një epokë të re të transportit ajror komercial.

Avioni i ri, i quajtur “X-59”, mund të fluturojë më shpejt se zëri duke prodhuar vetëm një “goditje të lehtë”, sipas “Lockheed Martin”. Fluturimi i së martës ishte ende më i ngadaltë se shpejtësia e zërit dhe kishte për qëllim të testonte qëndrueshmërinë strukturore të avionit. Megjithatë, NASA e quajti këtë një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të gjerë të fluturimeve supersonike.

Avioni kompakt, me gjatësi rreth 30 metra , u ngrit nga objekti ”Lockheed Martin Skunk Works” në Palmdale, rreth 100 kilometra në veri të Los Anxhelosit, fluturoi mbi shkretëtirë dhe u ul pranë Qendrës së Kërkimeve Fluturuese Armstrong të NASA-s, rreth  64 kilometra më tutje.

Sipas NASA-s, avioni i parë që kaloi shpejtësinë e zërit, 1,235 km/h), fluturoi pothuajse 80 vjet më parë, në vitin 1947* Por fluturimet me atë shpejtësi mbi tokën e SHBA u ndaluan së shpejti, pasi anketat treguan se qytetarët ankoheshin për zhurmën që trondiste dritaret dhe shqetësonte publikun në qytete të mëdha.

NASA dhe “Lockheed Martin” prej vitesh po punojnë për një zgjidhje që do të shmangte këtë problem dhe do të sillte ndryshime në rregulloret ajrore me synimin për ta bërë të mundur udhëtimin supersonik komercial brenda Shteteve të Bashkuara.