Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në promovimin e ndërsjellë të turizmit ishte në fokus të takimit mes drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadorit të Italisë në Tiranë, Marco Alberti.

Gjatë bisedës, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së theksoi rëndësinë e promovimit të destinacioneve shqiptare në tregun italian dhe nevojën për shkëmbim eksperiencash edhe në kuadër të hapjes në Shqipëri të Akademisë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes, një nismë e përbashkët mes Qeverisë Shqiptare dhe Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO).

Çela nënvizoi gjithashtu vizionin e qeverisë shqiptare që synon deri në vitin 2030 të zhvillojë një turizëm elitar dhe të qëndrueshëm, përmes përmirësimit të infrastrukturës, uljes së sezonalitetit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e natyrore.

Nga ana e tij, ambasadori Alberti u shpreh se Shqipëria po bëhet çdo ditë e më tërheqëse për turistët italianë, falë zhvillimit jo vetëm të turizmit bregdetar, por edhe atij malor, rural, të agroturizmit dhe të aventurës.

Ai theksoi se rikthimi i turistëve italianë në Shqipëri për pushime është një faktor thelbësor që tregon rritjen e besimit ndaj destinacionit shqiptar.

Ambasadori Alberti vuri në dukje rëndësinë që Strategjia e Turizmit 2030 të ketë ndikim konkret në territor dhe komunitet, duke theksuar njëkohësisht nevojën për ruajtjen e ekuilibrit mes cilësisë së shërbimeve dhe kostove.

Vetëm në periudhën janar–shtator 2025, në vendin tonë kanë hyrë mbi 1 milion vizitorë nga Italia, çka e rendit këtë shtet ndër tregjet kryesore hyrëse për turizmin shqiptar.