Ai lindi në Korçë, më 16 shtator 1929. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Trinia regjisoriale e përbërë nga Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli dhe Pirro Mani, lartësoi skenën e teatrit shqiptar përgjatë dy dekadave që lanë shenjë në artbërje, në vitet 1957-1973.

E para vepër e Luarasit që korri sukses ishte tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” (1957), që u luajt në Teatrin Popullor më shumë se 300 herë për 7 vite rresht. Ndërsa drama “Njollat e murrme” do të ishte shfaqja e fundit që vuri në skenë përpara se të përndiqej nga regjimi komunist. Zgjedhjet e tij artistike i kushtuan Mihallaq Luarasit, 8 vite liri. Luarasi iu kthye skenës pas rënies së regjimit, në vitet ’90.