Bill Gates ka bërë thirrje për një “ndryshim strategjik” në përpjekjet kundër krizës klimatike, duke shkruar se bota duhet të lëvizë larg përpjekjeve për të kufizuar ngritjen e temperaturave dhe të përqendrohet më shumë tek përpjekjet për parandalimin e sëmundjeve dhe varfërisë, sipas “The Guardian.
Duke shkruar në faqen e tij “Gates Notes”, themeluesi I” Microsoft” kritikoi atë që e përshkroi si një “pamje apokaliptike të ndryshimeve klimatike”, e cila fokusohet “shumë tek objektivat afatshkurtra për emetimet e gazrave”.
Në shënimin e tij, Gates tha se “edhe pse ndryshimi i klimës do të ketë pasoja serioze veçanërisht për njerëzit në vendet më të varfra, ai nuk do të çojë në zhdukjen e njerëzimit. Njerëzit do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të përparojnë në shumicën e vendeve të Tokës për të ardhmen e parashikueshme”.
Ai tha se samiti klimatik “Cop30” që do të bashkojë udhëheqësit botërorë në qytetin brazilian Belém në rrethinën e Amazonës në nëntor, ishte “një mundësi për të rishikuar metrikën që duhet të ketë rëndësi edhe më të madhe se emetimet dhe ndryshimi i temperaturës: përmirësimi i jetës”.
“Edhe pse ndryshimi i klimës do të dëmtojë më shumë njerëzit e varfër se askënd tjetër, për shumicën e tyre nuk do të jetë e vetmja apo madje as sfida më e madhe për jetën dhe mirëqenien e tyre”, shkroi Gates.
“Problemet më të mëdha janë varfëria dhe sëmundjet, ashtu si gjithmonë. Kuptimi i kësaj do të na lejojë të përqendrojmë burimet tona të kufizuara tek ndërhyrjet që do të kenë ndikimin më të madh për njerëzit më të cenueshëm”.





