Mbi 42 mijë fermerë të disbursuar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025

0
3


AZHBR bën të ditur se, “deri më sot, janë 42.664 fermerë përfitues, ndërsa fondi total i alokuar për këtë fazë të skemës arrin 1,84 miliardë lekë. Procesi i pagesave vijon për fermerët e tjerë që plotësojnë kriteret dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë degëve përkatëse të AZHBR-së”.

Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025 përfshin një gamë të gjerë mbështetjesh për sektorin bujqësor, duke synuar rritjen e prodhimit, përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së fermave. Ndër masat e mbështetjes përfshihen:

• Tufa bazë e matrikulluar për gjedhë dhe kafshë të imta, për të garantuar cilësinë dhe gjendjen shëndetësore të blegtorisë;
• Mbarështimi i bletarisë, duke mbështetur prodhimin e mjaltit dhe ruajtjen e ekosistemeve bletëruese;
• Fara, fidanë dhe inpute të tjera bujqësore, për të rritur rendimentin dhe cilësinë e kulturave bujqësore;
• Kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, një sektor me potencial të lartë për eksport;
• Fermat organike, për promovimin e prodhimeve të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin;
• Certifikimi Global GAP, i cili lehtëson eksportin dhe sigurimin e standardeve ndërkombëtare të prodhimit;
• Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi, duke lehtësuar kostot operative për fermerët.

AZHB thekson se ky proces është pjesë e strategjisë kombëtare për të zhvilluar bujqësinë dhe për të mbështetur fermerët në përballimin e sfidave ekonomike dhe klimaterike. Përmes këtyre subvencioneve, fermerët kanë mundësi të rrisin prodhimin, të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe të zgjerohen në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Fermerët që ende nuk kanë përfituar mbështetje mund të kontaktojnë degët e AZHB-së për informacion dhe dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa pagesat do të vijojnë deri në mbulimin e të gjithë përfituesve të skemës. Qeveria shqiptare thekson rëndësinë e mbështetjes së fermerëve si shtyllë kryesore e zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore në vend”, njofton AZHBR.