Ky vendim, i bazuar në ligjin, “Për burimet ujore”, synon krijimin e një kuadri të qartë teknik dhe institucional për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në vend.
Sipas vendimit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) do të kryejë analizën fillestare të karakteristikave të trupave ujorë sipërfaqësorë për çdo basen ose rajon lumor, si dhe vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor në cilësinë dhe statusin e ujërave.
Në vendim përcaktohen edhe elementet e cilësisë biologjike, hidromorfologjike dhe fiziko-kimike, që do të përdoren për klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve, liqeneve, ujërave tranzitore dhe atyre bregdetare. Po ashtu, përcaktohen edhe kriteret për vlerësimin e potencialit ekologjik të trupave ujorë artificialë dhe tepër të modifikuar.
Referuar relacionit vendimi parashikon procedurat për përcaktimin e standardeve kimike të cilësisë së ujërave sipërfaqësore, si dhe përditësimin e disa dispozitave në vendimin e vitit 2020, që lidhen me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe planet e menaxhimit të baseneve ujore.





