Në këtë maratonë koncertesh, muzika vjeneze emocionoi më shumë se 1400 spektatorë të cilët mbushën sallën e TKOB-së. Ansambli Simfonik “Johann Strauss” i Vjenës solli koncertin “200 vjet Shtraus”, në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të mirënjohur e njëkohësisht çeljes së Javës Kulturore Austriake në Tiranë e cila vjen në bashkëpunim me Ambasadën austriake.

Programi i përzgjedhur zbuloi anën më poetike të krijimtarisë së Shtrausit, me perla si “Wo die Zitronen blühn” dhe “Dorfschwalben aus Österreich” nga Josef Strauss.
Në pjesën e dytë, skena u ndez nga energjia e polkës dhe ritmi i valsit, duke kulmuar me “Tritsch-Tratsch-Polka” dhe “An der schönen blauen Donau”.

Johann Strauss II kompozoi muzikë të lehtë, valle dhe opereta. Gjithashtu ai ishte i njohur edhe si violinist. Shtrausi kompozoi mbi 500 valse, polka, kadrilla dhe lloje të tjera muzike kërcimi, si dhe disa opereta dhe një balet. Gjatë jetës së tij, ai ishte i njohur si “Mbreti i valsit” dhe ishte kryesisht përgjegjës për popullaritetin e valsit në shekullin e 19-të. Disa nga veprat më të famshme të Johann Strauss përfshijnë “Danub blu”, “Kaiser-Walzer” (Valsi i Perandorit), “Përralla nga pylli i Vjenës”, “Frühlingsstimmen” dhe “Tritsch-Tratsch-Polka”.