Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor bëri me dije në një njoftim se është finalizuar projekti për të ardhmen e shërbimit të kërkim-shpëtimit malor të Shqipërisë.

Në njoftim thuhet se në kuadër të projekteve IPA, AST Elbasan dhe Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor me partner bashkinë Peqin dhe nga Maqedonia e Veriut, Parku i Galicisës, Kryqi i Kuq dhe disa aktorë të tjerë, përfitojnë një godinë multifunksionale që do shërbejë si qendër operacionale dhe trajnimi.

Kjo godinë do të funksionojë jo vetëm për qarkun e Elbasanit, por dhe për gjithë Shqipërinë, pasi do të jetë e para dhe e vetmja qendër e ndërtuar në territorin e vendit tonë.

Sipas Federatës Shqiptare të Alpinizmit, në këtë projekt përfitim i drejtpërdrejtë vjen për grupin e kërkim-shpëtimit të rajonit të Elbasanit, si strukturë me pajisjet e plota, si edhe trajnimin e 10-20 pjesëtarëve të shërbimit të kërkim-shpëtimit.