Situata e verës së këtij viti, me zjarret masive që përfshinë disa zona, ka rritur gatishmërinë e Agjencisë së Mbrojtjes Civile që tashmë ka nisur përgatitjet për përballimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, nisur dhe nga fakti se ndikimi i ngrohjes globale ka sjellë temperatura ekstreme edhe në vendin tonë, duke favorizuar zjarre masive sikundër edhe përmbytjet gjatë dimrit.
I gjithë mekanizmi kombëtar i parandalimit dhe reagimit ndaj emergjencave ndodhet në përgatitje për të pasur përgjigje sa më efikase ndaj situatave të mundshme.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, shpjegon masat konkrete që po ndërmerren që tani, nga përditësimi i planeve të emergjencës dhe pastrimi i brezave mbrojtës, deri tek trajnimi i strukturave zjarrfikëse dhe përdorimi i teknologjisë moderne, përfshirë dronët me kamera termike.
Çako tregon edhe për mënyrën se si dronët po revolucionarizojnë monitorimin e territorit, duke mundësuar zbulimin e hershëm të vatrave të zjarrit, orientimin e forcave në terren dhe reagimin e shpejtë në situata emergjente.
Përdorimi i dronëve me kamera termike dhe sensorë të tjerë, është kthyer në një nga mjetet më efektive që gjen përdorim në të gjitha fazat e ciklit të menaxhimit të emergjencës, zvogëlim/parandalim rreziku, përgatitje, reagim dhe rimëkëmbje. Gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka përdorur intensivisht këto pajisje për të kryer rikonjicion të zonave me rrezik të lartë.
Çako ndalet edhe te roli i komunitetit dhe institucioneve arsimore në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezit të ri për mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e shkollave në programe ndërgjegjësimi dhe simulime praktike.
Një pjesë e rëndësishme e planit është edhe angazhimi i qytetarëve përmes fushatave vullnetare, aktiviteteve në terren dhe bashkëpunimit me shërbimin pyjor.
Në intervistë, ai ndan gjithashtu detaje mbi projektet e reja të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, nga Bashkimi Evropian, NATO, UNDP dhe GIZ, deri te Shërbimi Pyjor i SHBA-së, për forcimin e kapaciteteve të trajnimit, pajisjeve dhe koordinimit ndërinstitucional.
Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, që përfshin parandalim, edukim, trajnime, logjistikë dhe teknologji, Agjencia synon të garantojë një reagim më të koordinuar, më efikas dhe më të qëndrueshëm në përballjen me çdo rrezik natyror.





