Kompania, që prodhon çantën ikonike “Birkin”, njoftoi se rritja e shitjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përshpejtua pak në tremujorin e tretë, duke shënuar 7,2 për qind rritje në 714 milion euro.
“Në Amerikë kemi pasur një tremujor të tretë shumë të mirë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, me rritje të nxitur nga të gjitha linjat e produkteve”, tha drejtor i financave, Eric du Halgouet.
“Hermes“ kishte njoftuar më parë këtë vit se shpresonte të shmangte rritjen e çmimeve në SHBA pavarësisht tarifës së re prej 15 për qind mbi mallrat nga BE-ja, por paralajmëroi se dollari i dobët po ndikon gjithashtu në performancë.
Pa rënien e dollarit, rritja e shitjeve do të ishte 14,1 për qind.
Halgouet tha se “Hermes” ka mbajtur çmimet e qëndrueshme që nga marrëveshja e tarifave BE-SHBA në korrik.
“Do të vazhdojmë të investojmë në këtë treg strategjik”, tha ai, duke përmendur hapjen e një dyqani të ri në Nashville, Tennessee, në fillim të tetorit.
Në përgjithësi, shitjet e tremujorit të tretë të kompanisë u rritën me pesë për qind në 3,9 miliardë euro.
Kjo e vendos atë përpara grupit më të madh të luksit në botë, “LVMH”, i cili raportoi javën e kaluar se të ardhurat e tij për tremujorin e tretë ranë me katër për qind për shkak të lëvizjeve të pafavorshme të valutave.
“Pavarësisht pasigurisë ekonomike, gjeopolitike dhe monetare në mbarë botën, grupi konfirmon një qëllim ambicioz për rritje të të ardhurave me norma të këmbimit të qëndrueshme,” thuhet në një deklaratë.
Hermes njoftoi se stilistja britanike Grace Wales Bonner do të marrë drejtimin e koleksionit të rrobave për meshkuj prêt-à-porter nga Veronique Nichanian, e cila ka mbajtur këtë pozicion për pothuajse katër dekada.
Ky rinovim artistik te “Hermes” është vetëm i fundit në një seri ndryshimesh të ngjashme në shtëpitë e mëdha të modës, veçanërisht te “Chanel”, “Dior”, “Balenciaga”, “Loewe “dhe “Jean Paul Gaultier”.
Sektori i luksit po kalon aktualisht një periudhë sfiduese për shitjet globalisht, që po ndikon në shumë kompani, por “Hermes” ka qenë relativisht i mbrojtur nga këto goditje.
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, “Hermes” ka parë një rritje të shitjeve prej 6,3 për qind, duke arritur 11,9 miliardë euro.





