Sipas një lajmi në “Fox News”, studimi, i botuar në “ACS Chemical Neuroscience”, ka testuar 12 analoge të sapozhvilluara të vitaminës K që janë pasuruar me acid retinoik, një metabolit i vitaminës A i njohur për mbështetjen e rritjes së qelizave të trurit.
“Meqenëse humbja e neuroneve është një shenjë dalluese e sëmundjeve neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit, këto analoge mund të shërbejnë si agjentë rigjenerues që ndihmojnë në rimbushjen e neuroneve të humbura dhe në rikthimin e funksionit të trurit”, citoi Fox News Yoshihisa Hirota të Institutit të Teknologjisë Shibaura në Japoni, bashkëautor kryesor i studimit.
Format natyrale të vitaminës K, përfshirë menakinonën-4 (MK-4), njihen për ndihmën në mpiksjen e gjakut dhe shëndetin e kockave dhe mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje të trurit.
Megjithatë, ato kanë aftësi të kufizuar për të trajtuar neurodegjenerimin, thonë ekspertët.
Versionet e sapokrijuara janë treguar tri herë më efektive në shndërrimin e qelizave të trurit të papjekura në neurone gjatë testeve laboratorike.
Ato gjithashtu kanë kaluar me sukses barrierën gjak-tru në modelet shtazore, një hap thelbësor për çdo trajtim që synon trurin.
“Këto molekula të reja ruajtën përfitimet origjinale të vitaminave K dhe A, ndërsa shfaqën aktivitet të përmirësuar ndjeshëm të qelizave të trurit”, ka thënë Hirota.





